Pse rrobat e dollapit duan larje para festave
Rrobat e ruajtura gjatë verës kanë dy probleme: erën e mbylljes dhe marimangat e pluhurit. Një jorgan i palosur në raft për gjashtë muaj thith lagështinë e dollapit, sidomos në dimër dhe në apartamentet pranë detit, dhe merr një erë që nuk ikën vetem me ajrosjen. Marimangat e pluhurit ushqehen me qelizat e lëkurës që mbeten në jastëkë, jorgane dhe dysheke, janë shkaku më i shpeshtë i hundëve të zëna në mëngjes.
Mysafirët, shpesh të afërm që vijnë nga larg ose prindër të moshuar, flenë në shtratin që përdoret më rrallë në shtëpi. Pikërisht ai ka nevojë më shumë se të tjerët për përkujdesje.
Jorganet dhe batanijet: lavatriçe apo larje profesionale
Rregulli i parë është etiketa. Shumica e jorganeve sintetikë dhe prej mikrofibre lahen në 40 gradë. Ata me pupla lahen me detergjent të butë dhe me shpëlarje shtesë, ndërsa materialet prej leshi në ujë të vakët, me detergjent të posqshëm dhe pa centrifugë të fortë, ndryshe tkurret dhe ngjishet.
Problemi i dytë është madhësia. Një jorgan tek zakonisht hyn në lavatriçen e shtëpisë, një jorgan dopio ose me pupla shpesh jo. Kur lavatriçja është plot, uji dhe detergjenti nuk arrijnë në mes, shpëlarja behet jo e saktë dhe mbushja grumbullohet në qoshe te lavatriçes.
Problemi i tretë është tharja, dhe këtu dështon shumica e larjeve në shtëpi. Mbushja e një jorgani mund të duket e thatë nga jashtë dhe të jetë e lagur në mes. Në dimër, procesi i tharjes nga ballkoni zgjat me ditë dhe një jorgan i palosur gjysmë i lagur merr erë myku. Nëse e lani vetë, tharja duhet te bëhet shtrirë, kthejeni disa herë në ditë dhe shkundeni që mbushja të mos ngjishet. Mos e futni në dollap derisa të jetë i thatë plotësisht.
Nëse jorganin nuk e mer dot lavatriçja, ose nuk keni ku ta thani, ne e lajmë sipas rregullave të etiketës dhe e thajmë plotësisht, me marrje dhe dorëzim falas. Nuk kemi minimum porosie: merrim edhe nese keni një jorgan të vetëm.
Dysheku: çfarë mund të bëni vetë dhe kur duhet larë
Dysheku nuk futet në lavatriçe dhe nuk duhet lagur shumë: uji që futet thellë në sfungjer thahet me ditë dhe sjell myk nga brenda. Para se të vijnë mysafirët mund të bëni vetë katër gjëra:
- Pastroni të dy anët me fshesë korrenti, ngadalë, sidomos tegelat dhe cepat, ku mblidhen pluhuri dhe merimangat.
- Hidhni sipër sodë buke (bikarbonat), lëreni disa orë dhe pastrojeni sërish.
- Njollat e vogla pastrohen me një leckë pak të lagur dhe pak sapun neutral, duke shtypur, pa e fërkuar dhe pa e lagur shumë.
- Ajroseni me dritare hapur dhe vishni një mbrojtëse dysheku të pastër: mbrojtësja lahet në lavatriçe, dysheku jo.
Kur dysheku ka njolla të verdha djerse, njolla urine ose një erë që nuk ikën me sodë buke, kërkohet larje me ekstraktim: uji i nxehtë dhe detergjenti futen në pëlhurë dhe thithen menjëherë bashkë me papastërtinë, pa e lagur sfungjerin në thellësi. Këtë proces e bëjmë në shtëpinë tuaj, në Tirane dhe Durres, dhe dysheku thahet brenda 4–8 orëve. Larja bëhet paradite dhe në mbrëmje e keni gati. Më shumë lexoni te larja e dyshekut.
Perdet: si t'i lani pa i rrudhur dhe pa i tkurrur
Perdet mbledhin më shumë pluhur se ç'duket, sepse filtrojnë ajrin që hyn nga dritarja. Para larjes hiqni grremçat ose rrathët, shkundini mirë jashtë dhe lexoni etiketën. Pastaj, sipas materialit:
- Tyli dhe perdet e holla sintetike: program i butë, 30 gradë, centrifugë e ulët ose pa centrifugë fare. Varini sapo t'i nxirrni nga lavatriçja, ende të lagura: pesha e ujit i drejton vetë dhe shpesh nuk duan hekur.
- Pambuku dhe liri: 30–40 gradë, jo më shumë se sa thotë etiketa, sepse liri tkurret në ujë të nxehtë. Hekurosen kur janë ende pak të lagështa.
- Kadifeja dhe perdet e rënda: shpesh vetëm pastrim profesional. Në lavatriçe humbasin formën dhe pushi shtypet.
- Perdet blackout: shtresa e errët e pasme plasaritet në ujë të nxehtë dhe në centrifugë të fortë. Lahen në program delikat, në ujë të ftohtë, dhe thahen të varura.
Kur perdet janë shumë të gjata ose të rënda për lavatriçen e shtëpisë, ose kur nuk doni të ngjiteni në shkallë, i heqim ne nga rrathët në marrje, i lajmë sipas materialit dhe i kthejmë të hekurosura e të palosura, gati për varje. Perdet maten për metër katror, si tapetet.
Jastëkët dhe mbulesat
Jastëkët e gjumit mbajnë djersë dhe akare më shumë se çdo gjë tjetër në shtrat. Një provë e thjeshtë: palosni jastëkun përgjysmë. Nëse nuk hapet vetë, mbushja është ngjeshur dhe është koha ta ndërroni, jo ta lani. Ata që e kalojnë provën lahen në lavatriçe dy nga dy, që lavatriçja të mos çekuilibrohet, dhe thahen plotësisht.
Mbulesat e divanit dhe kuvertat dekorative lahen sipas etiketës. Për vetë divanin, që nuk futet askund, shihni larjen e divanit në shtëpi.
Kalendari: kur t'i nisni
| Çfarë | Kur | Sa zgjat |
|---|---|---|
| Jorgane dhe batanije | 2–3 javë para festës | Brenda javës; ata me pupla, një ditë më shumë |
| Perde | 2–3 javë para festës | Brenda javës, të hekurosura |
| Dyshek | 1–2 ditë para mysafirëve | 4–8 orë tharje, në shtëpi |
| Divan | 1–2 ditë para mysafirëve | 4–6 orë tharje, në shtëpi |
| Jastëkë dhe mbulesa | Javën e fundit, në lavatriçe | Një ditë, me tharjen |
Afatet janë orientuese: data e marrjes varet nga zona dhe nga dita kur na shkruani. Ditët e çdo zone janë te faqja e zonave, dhe datën e saktë jua konfirmojmë në WhatsApp. Radhën e plotë të pastrimit, me afatet për tapetin, e kemi te pastrimi i shtëpisë para festave.
