Katër rregullat për çdo njollë
- Përthitheni njollen, mos e shpërndani: Shtypni me pecetë letre ose me leckë të bardhë, nga jashtë drejt qendrës. Fërkimi e shtyn njollën thellë në fije dhe e shpërndan atë në sipërfaqe më të madhe.
- Ujë të ftohtë ose të vakët, jo i nxehtë: Uji i nxehtë fikson njollat e gjakut, të qumështit dhe të vezës, dhe e tkurr leshin.
- Me pak ujë: Lageni pak siperfaqen ku ka njollën dhe me një leckë të pastër përthitheni njollën. Një tapet i tejlagur e mban ujin në bazë dhe njolla ngjitet sërish në sipërfaqe kur tapeti thahet.
- Testojeni në një cep si fillim: Çdo produkt pastrimi, edhe sapuni i enëve, mund ta zbehë ngjyrën. Provojeni ku nuk duket dhe prisni disa minuta para se ta përdorni mbi njollë për siguri.
E njëjta gjë vlen për divanin. Te divani lexoni edhe etiketën e pëlhurës: kur ka shkronjën «S» ose «X», pëlhura nuk duron ujë dhe njollat nuk trajtohen me ujë në shtëpi.
Vera e kuqe
Përthitheni sa më shumë me pecetë të thatë vendin ku ka rënë vera, duke e ndërruar/palosur peceten sa herë të ngjyroset (që mos ta shpërndashë më shumë verën e kuqe). Pastaj hidhni pak ujë të ftohtë dhe përthitheni sërish, disa herë rresht. Nëse ngjyra mbetet, përzieni një lugë çaji sapun enësh të lëngët në një gotë ujë të vakët, lagni pak njollën dhe përthitheni. Mbaroni me ujë të pastër, që të mos mbetet sapun në fije dhe sipërfaqe: sapuni që mbetet mbledh pluhurin dhe pas disa javësh njolla do të duket sërish, me një ngjyrë gri.
Mos hidhni kripë mbi njollë. Kripa përthith pak verë, por kur thahet e fikson ngjyrën dhe lë kokrriza që gërryejnë fijen/taptin. Mos përdorni as zbardhues ose produkte me klor: në një tapet ose divan me ngjyrë lënë njolla të bardha që nuk rregullohen më. Te tapetet e leshit shmangni edhe ujin e oksigjenuar, që zbardh ngjyrat natyrale.
Yndyra dhe vaji
Hiqni me lugë atë që ka mbetur sipër, pa e shtypur. Hidhni mbi njollë niseshte misri ose pluhur e talku dhe lëreni 15–20 minuta: pluhuri e përthith yndyrën. Thithni pluhurin me fshesë me korrent. Pastaj, si te vera, një lugë çaji me sapun enësh të përzier me ujë të vakët: sapuni i enëve është bërë pikërisht për yndyrën. Lageni pak, thajeni, shpëlani me ujë të pastër dhe thajeni sërish.
Te divani, sidomos te mbështetësja e kokës dhe te krahët, yndyra e trupit dhe e flokëve krijon një njollë të errët që mblidhet për muaj të tërë. Nuk është njollë e një dite dhe nuk hiqet me pecetë: do larje me ekstraktim, ku uji i nxehtë futet në pëlhurë dhe përthithet menjëherë. Këtë e ofrojmë si shërbim në shtëpinë tuaj ku divani thahet brenda 4–6 orëve. Shihni si e lajmë divanin.
Dylli i qirinjve
Mos e prekni sa është i ngrohtë: e shtypni më thellë. Lëreni të ngurtësohet, ose vendosni sipër një qese me akull që të ngurtësohet më shpejt. Thyejeni me majën e një luge, hiqni copat dhe thithni me fshesë me korrent.
Për shtresën e hollë që mbetet në fije, vendosni sipër një pecetë letre të bardhë dhe kaloni hekurin e rrobave në temperaturë të ulët, pa avull, për disa sekonda. Dylli shkrihet dhe e thith peceta. Ndërroni peceten dhe përsëritni derisa të mos marrë më dyll. Mos e lini hekurin në një vend: fijet e tapeteve sintetike dhe të atyre shaggy shkrihen nga nxehtësia, prandaj provojeni fillimisht në një cep.
Dylli me ngjyrë, i kuq ose jeshil, mund të lërë një njollë ngjyre edhe pasi është hequr. Mos e trajtoni me tretës ose aceton, që e përhapin ngjyrën dhe dëmtojnë fijen. Na e tregoni para larjes.
Çokollata, kafeja dhe pijet me sheqer
Çokollata është yndyrë dhe sheqer bashkë. Nëse është e shkrirë, lëreni të ngurtësohet dhe hiqni me lugë atë që del. Pastaj trajtojeni si yndyrën: sapun enësh në ujë të vakët, thithje, shpëlarje me ujë të pastër.
Kafeja dhe çaji hiqen me ujë të ftohtë dhe thithje, pa sapun në fillim. Pijet me sheqer, si lëngjet dhe pijet e gazuara, lënë fijet ngjitëse edhe kur ngjyra ka ikur. Shpëlajini me ujë të pastër dhe thithni derisa vendi të mos ngjitet më në prekje, ndryshe aty kapet pluhuri dhe pas disa javësh shfaqet një njollë gri.
Çfarë të mos bëni
- Mos përdorni zbardhues, klor ose spërkatës për banjën: ngjyra zbardhet përgjithmonë.
- Mos përdorni pastrues me amoniak te tapetet e leshit: e dëmtojnë fijen.
- Mos e lagni njollën shumë. Uji që shkon në bazë e sjell njollën sërish lart kur thahet, dhe në dimër sjell edhe myk.
- Mos e mbuloni njollën me parfum ose aromatizues: era kthehet, njolla mbetet.
- Mos provoni pesë produkte njëri pas tjetrit. Çdo provë e bën njollën më të vështirë për t'u hequr, dhe disa produkte të përziera, si zbardhuesi me amoniakun ose me uthullën, lëshojnë gaze të rrezikshme.
Kur të ndaleni dhe të na dërgoni një foto
Disa njolla nuk hiqen në shtëpi, dhe çdo provë më shumë vetëm i fikson: bojë, ngjyrë flokësh, llak thonjsh, zbardhues, ndryshk, ose njolla të vjetra që janë tharë me javë. Edhe ne nuk mund t'i premtojmë pa i parë. A hiqet një njollë varet nga tapeti dhe nga njolla, prandaj na dërgoni në WhatsApp një foto nga afer të njollës dhe një të tapetit të plotë, dhe na thoni çfarë e shkaktoi. Ju themi sinqerisht nëse hiqet, si e trajtojmë dhe sa kushton.
Njollat e zakonshme të festave, si vera, ushqimi, yndyra dhe çokollata, trajtohen një nga një para larjes dhe përfshihen në cmim, si te tapeti që lajmë në punishte, ashtu edhe te divani që lajmë në shtëpi. Vijmë në Tirane, Durres dhe zonat përreth, me marrje dhe dorëzim falas.
